San Antonio befasoi Miamin në ndeshjen e parë finale
Posted by Admin
Basketbollistët e San Antonio Spurs ende kanë formulën fituese të një finale të NBA-së, duke u bazuar në mbrojtje të mirë dhe në pak fat në sulm.
Tim Duncan tejkaloi një start të ngadalshëm dhe e mbylli ndeshjen me 20 pikë e 14 kërcime, ndërsa Tony Parker realizoi një gjuajtje pa balancë 5.2 sekonda pa mbaruar ndeshja, derisa San Antonio arriti t’i mbijetojë një “triple-double” të LeBron Jamesit dhe të mposht kampionin në fuqi Miami Heat në udhëtim me rezultatin 92:88 të enjten mbrëma në ndeshjen e parë të serisë finale të plejofit në NBA.
Parker e mbylli ndeshjen me 21 pikë, ndërsa arbitrit u desh të rishikonin atë dyshe të fundit të shënuar nëse e ka dërguar topin para se të përfundonte 24-sekondëshi i aksionit.
“Ne patëm pak fat në ndeshjen e parë. Nganjëherë ai të nevojitet për të fituar ndeshje”, ka thënë Parker.
Duke luajtur në finalen e parë të NBA-së që nga viti 2007 kur i mposhtën Cleveland Cavaliersat të udhëhequr nga LeBron Jamesi me shifrat 4:0, Spursat janë mbajtur në lojë në tre çerekët e parë, para se të merrnin iniciativën kah mesi i çerekut të katërt.
Manu Ginobili, i treti i “Treshes së Madhe” të San Antonios mbylli ndeshjen me 13 pikë.
“Nuk ka rëndësi se si na kategorizoni ne – të vjetër, veteranë, pavarësisht si na thoni, ne jemi ende në kombinim”, ka thënë Duncan 37-vjeçar.
San Antonio bëri mbrojtje të fortë në çerekun e katërt, duke limituar Miamin në vetëm shtatë pikë për tetë minuta e gjysmë në atë çerek.
LeBron James me 18 pikë, 18 kërcime e 10 asistime ishte më efikasi te Miami.
Dwyane Wade shënoi 17 pikë, ndërsa Chris Bosh shtoi 13 tjera.
“Spursat janë Spursa. Do të vendosin në një pozitë ku nuk ndihesh fare komod në sulm dhe në mbrojtje, dhe sa herë që bën gabim, ata do të përfitojnë”, ka thënë James.
Ndeshja e dytë e serisë finale do të zhvillohet të shtunën mbrëma në Miami.
Pas asaj sfide tri ndeshjet e radhës do të luhen në San Antonio, derisa në rast se seria shkon më tutje, atëherë dy ndeshjet finale zhvillohen në Miami. Kampion shpallet ekipi me katër fitore.
“Mendoj se u dukëm pak të lodhur në çerekun e katërt. Ne u dukëm tamam si një skuadër që u fut në finale pas një serie në shtatë ndeshje”, ka thënë Wade.
Miami në finale të Konferencës Lindore kishte mposhtur me 4:3 në fitore Indiana Pacersat, derisa San Antonio në finale të Konferencës Perëndimore mposhti me 4:0 Memphis Grizzlies.