Real Madridi në formën më të mirë
Posted by Unknown
Të besuarit e Jose Mourinhos u mposhtën nga Borussia e Dortmundit në fazën e grupeve, por forma e dobët e fillim-sezonit tashmë është harruar dhe duket se gjërat kanë lëvizur në vendin e duhur, në kohën e duhur.
Tani është gjithëçka ndryshe. Mourinho tha të marten se ai shpreson që Reali do të shfaqet shumë më solid në gjysmëfinale se sa që ishte në përballjet e fazës së grupeve përballë Dortmundit.
Dhe i tillë duket se do të jetë. Trajneri portugez qysh dje zbuloi formacionin startues ku Fabio Coentrao dhe Sergio Ramos do të okupojnë krahët e mbrojtjes, i pari krahun e majtë, i dyti të djathtin, e ndërkohë në qendër do te luaj dyshja Pepe-Varane. Në përballjen midis dy skuadrave në fazen e grupeve, Marcelo, Arbeloa dhe Coentrao munguan shkaku i lëndimeve, duke e detyruar Mourinhon që në krahun e majtë të mbrojtjes të vendos Michael Essien, e kjo u shfrytëzua më së miri nga milionerët, ku pikërisht nga krahu i majtë, Marcel Schmelzer shënoi golin e fitores. Por tani kjo vështirë se do të përsëritet.
Ka më shumë se kaq. Edhe pse u mposhten në ndeshjen e parë dhe barazuan në të dyten (falë një goli të vonshëm nga goditja e lirë nga Mesut Ozil), Los Blancos janë favorit absolut në përballjen gjysmëfinale ndaj djelmoshave të Jurgen Klopp. Thjeshtë sepse ky është një ekip krejt ndryshe krahasuar me Realin e muajit Tetor.
Real Madridi ka fituar vetëm një nga 24 ndeshjet e zhvilluara në Gjermani (duke pësuar humbje në 17 prej tyre), megjithatë ata mposhtën Dortmundin në gjysmëfinalen e vitit 1998, për tu kurorëzuar pastaj me titullin e më të mirit.
Nëse e krahasojmë Realin e tanishëm me atë të muajit Tetor, Cristiano Ronaldo asokohe publikisht kishte deklaruar se ishte i pakënaqur në Madrid, duke ndezur spekulimet rreth një largimi nga klubi mbretëror, e madje mediat thuajse çdo ditë raportonin për një atmosferë të zymtë në dhomat e zhveshjes së Real Madridit. Pothuajse në tetor, La Liga ishte e humbur. E gjithë puna e mirë e një sezoni më parë dhe starti premtues kur Reali mposhti Barçen në Superkupen Spanjolle ishin nën hije.
Humbja në Dortmund ishte e treta për Realin në këtë edicion dhe u pasua edhe me dy humbje të tjera para vitit të ri. Me La Ligën pothuajse të humbur, ishte koha që Reali të ribashkohej si grup. Por në vend se të përmirësohej situata, ajo u keqësua. Iker Casillas theu dorën në Janarin e këtij viti dhe Mourinho u sulmua edhe më shumë nga mediat, kur e përditshmja spanjolle Marca zbuloi se kapitenët Casillas dhe Ramos i drejtuan një ultimatum presidentit Florentino Perez: “President, ose Mourinho largohet, ose ne…”
Ky doli të ishte momenti vendimtar i sezonit për klubin. Perez u përballë me mediat, pikërisht me ato media të cilat e ndihmuan në zgjedhjen e tij si president i klubit në vitin 2009. Ai shkoi aq larg me deklaratat e tij, duke akuzuar Marca-n se ‘po publikonte gënjeshtra’.
Diego Lopez ishte blerja e Realit në vend të të lënduarit Iker Casillas. Lopez dëshmoi vlerat e tij që në ndeshjen e parë ndaj Barces në kuadër të Kupës së Mbretit, ndërkohë kishte paraqitje fantastike në ndeshjet ndaj Manchester United, madje Ferguson deklaronte: “Casillas nuk do të ndalte gjithe ato goditje që Lopez i ndali”.
Në atë ndeshje, Luka Modric, shpagoi investimin e Realit për të, duke shënuar një gol spektakolar që i riktheu Mbretërit në lojë, ndërkohë Raphael Varane, pas paraqitjeve fantastike ndaj Barces, po tregonte se sa i rëndësishëm ishte edhe ndaj Unitedit.
Sulmuesit, Benzema dhe Higuain, tani janë rikthyer te golat, pasi kaluan momente të vështira në fillim të sezonit, Xabi Alonso mbetet autoritar në mesfushë, ndërkohë Mesut Ozil ka rigjetur fantazinë e tij në kohën e duhur, ku ka shënuar gola në dy ndeshjet e fundit në ligë.
Dhe natyrisht, aty është Cristiano Ronaldo. Sulmuesi portugez ka fituar një përkrahje të madhe nga klubi, pasi doli humbës ndaj Messit në luftën për Topin e Artë. Ronaldo ka ruajtur formën e tij më të mirë për pjesën më të rëndësishme të sezonit. Ai shënoi dy gola ndaj Barcelones, dy ndaj Manchesterit, dhe tri ndaj Galatasarayt, duke çuar në 11 numrin e golave të tij në 10 ndeshje, në kuadër të Ligës së Kampionëve. Pakënaqësia e tij në fillim të edicionit i takon së kaluarës, madje gjatë kësaj jave presidenti Perez deklaroi që së shpejti Ronaldo do të rinovoj kontratën e tij.
Duket që gjithçka po shkon në favor të Real Madridit. Nëse edhe universi dëshiron që të besuarit e Mourinhos të fitojnë La Decima‘n këtë edicion mbetet të shihet, por një gjë është e qartë – ky ekip është shumë, shumë më i fortë se ai që u mposhtë nga Dortmundi në Tetorin e vitit të kaluar.
E ky është lajm i keq për Borussia Dortmundin…